Tuesday, April 22, 2025


 Intervistë me Paulin Zefin: Thesaret e Muzeut Etnografik në Lezhë

Muzeu Etnografik në Lezhë është një nga pasuritë kulturore më të çmuara të veriut të Shqipërisë, dhe këtë e dëshmon pasuria e dokumentacionit dhe objekteve historike që ai ruan, kryesisht nga shekujt XIX-XX. Ndër objektet më të vjetra dhe më të rëndësishme, veçohen fondi i armëve të Mesjetës, përfshirë xhylët e topit dhe dy shpata që lidhen me periudhën e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1443-1468).

Muzeu zotëron koleksionin më të pasur në Shqipëri të armëve të prodhimit artizanal të shekujve XVIII-XIX, duke reflektuar mjeshtërinë dhe historinë luftarake të vendit. Një objekt unik është flamuri shtetëror i përdorur në Prefekturën e Lezhës në vitin 1940, i konsideruar si më i vjetri dhe më i konservuari në Shqipëri. Ndërkohë, pushka “Mause” zë një vend të veçantë në ekspozitë, pasi jo vetëm ishte arma më e përdorur nga të parët tanë, por edhe një pasuri në vetvete, me një vlerë që në atë kohë përfaqësonte çmimin e një shtëpie – 20 napoleona ari.

Për ruajtjen e këtyre thesareve historike, muzeu ndjek standarde të kujdesshme: mbajtjen e objekteve në temperatura të kontrolluara, shmangien e lagështisë dhe trajtimin e armëve me vajra specialë për të parandaluar ndryshkun.

Promovimi i trashëgimisë kulturore bëhet përmes aktiviteteve edukative me nxënës, botimeve në revista shkencore, si dhe përmes mediave. Këto përpjekje kanë sjellë një rritje të ndjeshme të vizitueshmërisë nga viti në vit. Në vitin 2022 muzeu u vizitua nga 4,622 turistë (kryesisht spanjollë), në 2023 nga 4,917 (kryesisht anglezë), ndërsa në 2024 u arrit shifra prej 5,301 vizitorësh, me interes të madh nga anglezët dhe shqiptarët e Kosovës.

Muzeu Etnografik në Lezhë mbetet një dëshmi e gjallë e historisë, artizanatit dhe krenarisë kombëtare shqiptare.

 

                                                

 

 

 

 

 


 

 

No comments:

Post a Comment

                                                                                              TEMA:  Lezha : Kulturë dhe Histori Qëllimi p...