Wednesday, April 23, 2025


 

Kalaja e Lezhës – Krenaria që rri  mbi  qytet

E ngjitur mbi një kodër rreth 180 metra mbi nivelin e detit, Kalaja e Lezhës ngrihet si një roje e heshtur që vështron krenare qytetin dhe fushat përreth. Ajo është një nga monumentet më të rëndësishme historike në Shqipëri, jo vetëm për vlerat e saj arkitekturore, por edhe për rolin e madh në historinë e kombit.

Muret e kalasë shtrihen në një perimetër prej 3500 metrash, duke rrethuar një sipërfaqe prej 3.3 hektarësh. Të ndërtuara me vija të drejta dhe të harkuara, të përforcuara në qoshet kryesore, ato dëshmojnë mjeshtërinë e ndërtimit dhe rëndësinë strategjike që kjo kala ka pasur ndër shekuj. Ajo përmban tri porta hyrëse në anët lindore, veriore dhe perëndimore — ku dy prej tyre ndodhen pikërisht aty ku dikur qëndronin portat e Akropolit antik.

Kalaja përfaqëson një nga pasuritë më të çmuara të trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare. Ajo daton që nga shekulli IV para erës sonë dhe u ndërtua nga ilirët, banorët autoktonë të këtyre trojeve. Gjatë shekujve, ajo u rindërtua dhe u përforcua nga perandore të ndryshëm, duke ruajtur gjithmonë rëndësinë e saj ushtarake dhe kulturore.

Emri i qytetit të lashtë, Lissus, është përmendur nga shumë autorë të njohur:

Ptolemeu, i cili e përmend në veprën Geographia si qytet ilir,Plini Plaku, në Naturalis Historia. Tit Livi, i cili e përshkruan Lissusin në kontekstin e luftërave,

Prokopi i Cezarese, që përmend rindërtimin e mureve të qytetit.Gjate mesjetes Ana Komnena, princesha e Bizantit duke e quajtur kështjella e “ Elissonit” dhe duke e vlerësuar : si një kështjellë    ajër” dhe qe ishte syri i djathtë i Durrësit.

Pas rënies së Perandorisë Bizantine në shekullin XIV, Lezha u përfshi në përplasjet mes fisnikëve shqiptarë si Balshajt, Dokagjinasit, Zahariajt dhe Papajt. Në këtë periudhë të trazuar, kalaja vijoi të ruajë rolin e saj të pathyeshëm.

Një pjesë veçanërisht e rëndësishme e kompleksit të kalasë është Xhamia e Sulejmanit, ndërtuar në pikën më të lartë dhe dominuese të saj. Gërmimet arkeologjike kanë vërtetuar se kjo xhami është ngritur mbi themelet e saj origjinale, pa mbivendosje mbi struktura të mëparshme kishtare. Ajo përmbushte të gjitha kushtet për një objekt kulti islam dhe u shërbente garnizonit të kalasë dhe familjeve të vendosura brenda saj, por edhe banorëve të shehrit që ndodhej rreth 400-500 metra më në lindje.

Në të djathtë të hyrjes së xhamisë ndodhej minarja, e cila sipas burimeve historike ka qenë rreth 10 metra e lartë. Ka dëshmi se pas pushtimit osman të Lezhës më 1478 dhe deri më 1553, në kalanë e qytetit banonin 89 familje myslimane. Rreth pesë dekada më vonë, në shpatet lindore të kalasë u themelua lagjja e re e Shehrit, e banuar kryesisht nga myslimanë. Në vitin 1614, Lezha mesjetare numëronte rreth 500 shtëpi të këtij komuniteti.

Ngritja e xhamisë në këtë kala lidhet me faktin tashmë të njohur historik, sipas të cilit myslimanët e parë që u vendosën në Shqipëri,  u ngulitën fillimisht në Lezhë dhe në Krujë. Nuk është e gabuar të thuhet se kjo xhami mund të ketë qenë ndër më të vjetrat në vend.

Sot, Kalaja e Lezhës është një prej destinacioneve më të vizituara nga turistët dhe dashamirësit e historisë. Ata që ngjiten në muret e saj, shpërblehen me një pamje panoramike mahnitëse të qytetit, të luginës së lumit Drin dhe të fushave përreth. Ky vend nuk është thjesht një gur i lashtë i së kaluarës, por një thesar që frymëzon krenari, dashuri për atdheun dhe një lidhje të thellë me rrënjët tona historike.

E. GJOKA

No comments:

Post a Comment

                                                                                              TEMA:  Lezha : Kulturë dhe Histori Qëllimi p...