"Veshjet Burrërore të Lezhës: Histori, Kulturë dhe
Identitet"
Veshjet popullore janë
një pasqyrë e gjallë e historisë, kulturës dhe identitetit të një vendi. Në
qarkun e Lezhës, kostumet tradicionale të burrave ruajnë ende gjurmët e jetës
së përditshme, zakoneve dhe ndikimeve historike të zonës. Nga qeleshja e deri
te tirqit e punuar me mjeshtëri, çdo detaj i këtyre veshjeve tregon një histori
për mënyrën e jetesës, përkatësinë fisnore dhe bukurinë e traditës shqiptare.
Ky artikull synon të prezantojë elementët më karakteristikë të veshjeve
burrërore të zones se Lezhës, duke sjellë në vëmendje veçoritë e tyre,
materialet e përdorura dhe rolin që kanë luajtur në formësimin e identitetit
kulturor të krahinës.
VESHJA QYTETARE E BURRIT
Thonë që qeleshja e burrit ka pasur formë
të rrumbullakët dhe me gjatësi jo më shumë se pëllëmba e burrit. Çakçirët kanë
qënë në ngjyrë pana dhe kafe sipas rasteve, të veshura me këmisha të bardha të
rrahura bukur në pjesën e mëngëve dhe me jakë prifti, siç quhej. Xhamadani ka
qënë I bollshëm dhe me nji xhep për sahatin (qostekun) i punuar me qëndisje si
pjesa fundore e çakçirëve.
Veshja
e burrit kallmetor ka specifikat e veta por që nuk
dallon shumë nga veshja e krahinave përreth pasi burrat duke qenë në lëvizje si
në luftë, punë apo tregti, ishim gjithmonë me të integruar mes tyre dhe blinin
rroba në tregje të përbashkëta.
Veshja
tradicionale malësore me çakshir ( tirqit), xhamadan
Tirqit zbukuroheshin anës të qepurave dhe përqark
xhepave e shkekave me gajtan të zi ose të bardhë. Për nga zbukurimi dhe prerja,
tirqit ndryshojnë nga fisi në fis. E vetmja krahinë që, përveç gajtanëve, i
zbukuronte tirqit edhe disa qëndisje të tjera poshtë xhepave ose pranë nyjave,
ishte Malësia e Madhe. Zhgunin e tirqve e punonin gratë e fshatit në vekun
horizontal, në katër liq, prej tymnit dhe linit të leshtë. Pasi e përfundonin
thurjen, pëlhurën e shkelnin në shkaltore. Prerja e zhgunit, qepja dhe zbukurimi
i tirqve bëhej nga zejtarët
Në
veshjet e Mirditës lexohet
hershmëria dhe origjina. Elementet më të vjetër të kostumit mirditor janë këmisha e gjatë, si për burra dhe për
gra, si dhe dollama, që ishte si një
pallto e hapur, me mëngë dekorative që varen.
Veshjet prej leshi dhe leshi të përpunuar (shajaku) në
kostumin mirditor vijnë në një formë të thjeshtë deri në shekullin e njëzetë.
Të gjitha rrobat, që më vonë u prodhuan prej liri dhe kërpi, fillimisht ishin
prej leshi, përfshirë këmishat, brekët, xhamadanët etj.
Në masë më të paktë përdoreshin rrobat prej liri, më
shumë për veshjet e brendshme, të cilat edhe pasi u zëvendësuan prej pambuku
vazhduan të quhen “të linta”, madje dhe në ditët e sotme, brekëve u thonin “tlina”1Nën ndikimin e trevave
fqinje, mirditasit përdorën edhe xhamadanin e leshtë me mëngë ose pa mëngë;
xhurdinë e zi me jakë dhe tufa në fund; tirqit prej shajaku të bardhë me
gajtana të zi; brezin e leshtë me ngjyrë të kuqe etj. E vjetër në Mirditë
konsiderohet veshja me këmishë dhe brekesha, që ishte prej liri ose prej leshi
të shkelur ose jo. Brekeshat vijnë që nga Mesjeta dhe përmenden së pari në një
dokument të vitit 1330.2 Ato ishin veshje para turke me origjinë të
vjetër dhe nuk duhen ngatërrruar me shallavaret orientale që mbanin burrat
katolikë shkodranë deri në shpalljen e Pavarësisë.3-Marin Bici i përmend brekeshat si veshje të
mirditorëve gjatë vizitës së tij atje në vitin 1610. Nga elementet e veshjeve
të vjetra të burrave, akoma mbahen edhe sot kësulat e bardha dhe opingat (këpucët prej lëkure primitive).-4
1- Pal
Doçi, Mirdita vatër e qëndresës antiosmane, f.35.
2-
Afërdita Onuzi, Veshjet shqiptare në shekujt XIV-XV, reflektim etnografik,
Antropologji, vëllimi 2, numër 1, Instituti i Antropologjisë Kulturore dhe i
studimit të artit, Tiranë 2019, f.71.
3-
Andromaqi Gjergji, Veshjet shqiptare në shekuj, f.129.
4- Leyla Belkaïd,
“Albania Encyclopedia of National Dress. Volume
Ne veshjen
e burrave zadrimorë në hershmëri
mbizotèronte ngjyra e bardhë dhe kjo kryesisht tek këmishat si dhe brekeshat
e bardha që në kohë të ndryshme kanë pasur edhe përbërje të ndryshme nga
ana e materialit me të cilin është thurur pëlhura e tyre. Më herët është
përdorur liri e më vonë pambuku e kambriku i një cilësie të lartë që ishte më i
bardhë dhe më i trashë se zakonisht. Me pambuk më të hollë endej pëlhura për
këmisha dhe për të brendshmet.
Në pjesën
e veshjeve të burrave zadrimorë hynin edhe jelekët, apo xhamadanat dhe
në rastet e zakonshme ishin të bardhë të garnituar me gajtana të zinj në pjesën
e përparme që përfundonte me dhëmbëza të mëdhenj. Në shumë raste dhe sidomos
për momente festive përdoreshin xhamadanë të kuq apo të kadifenjtë e pa
diskutim edhe këta të garnituar me gajtana të zinj e të trashë që i jepnin
mjaft hijeshi e paraqitje. Si zakonisht xhamadanët krijoheshin me shajak të
hollë, apo diçka të ngjajshëm me të.
Një tjetër element në veshjen e burrave zadrimorë kanë
qenë brezat që si zakonisht endeshin në vekë me fije leshi dhe aty
mbizotëronte ngjyra e kuqe, krahas ngjyrave të tjera sidomos e bardha.
Fotoja është e hershme
dhe bardh e zi, por aty shihen qartë dallueshmëritë në elementet e veshjes
tradicionale; brakeshat e bardha, brezat e mesit, këmishat e bardhe, xhurdinjët
e zinj dhe kësulat e bardha
(qeleshet tradicionale).
Shumë
herët, burrat zadrimorë kanë pasur traditë të lënë musteqe të mëdha, por, siç
tregonin të moshuarit, e kishin zakon ta rruanin kokën anash deri në pjesën e
sipërme e aty e linin një tufë flokësh të rritej e të zgjatej sa më shumë. Kjo
tufë flokësh quhej çerbe.
Tirqet
Po ta ndjekim procesin historik të zhvillimit të tirqve që quhen edhe
çakshirë, kofsharë, xhedikë etj., shohim në Malësi të Madhe formën më të
zhvilluar të tyre me prehër; në Lumë e në Dibër mungon edhe prehri edhe
paraqesin formën më interesante, atë të kalimit në kofsharët; nga kofsharët që
lanë gjurmë kudo në Shqipëri zbulojmë aty-këtu gjunjakët, që paraqesin format e
paraardhësve të tyre; në Lumë e Mirditë përdornin për dimër dy copë zhguni, që
mbështillnin kërcejtë e këmbëve, të cilat paraqesin format fillestare të
tirqve.
(Rr. Zojzi Gjurmë arkaike në veshjet
tradicionale të popullit shqiptar, studime ilire, II, Prishtinë, 1977, f. 248).
No comments:
Post a Comment